Vllaznia arrin një fitore, por ka një shqetësim

Vllaznia B ka arritur një fitore të rëndësishme mesditën e sotme, teksa ka mposhtur me rezultatin e ngushtë 1 – 0 ekipin e Internacional Tirana. Në takimin e zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi” ka mjaftuar goli i shënuar nga Palushani në minutën e 23-të, që kuqeblutë të marrin 3 pikë të tjera në grupin A të Kategorisë së Dytë.

Një fitore që mban gjallë shpresat e shkodranëve për tu rikthyer në Kategorinë e Pare brenda këtij sezoni, edhe pse do të jetë shumë e vështirë, pasi Tërbuni ka nisur shkëputjen në krye, ndërkohë Gramshi dhe Partizani janë më afër kreut, ku ekipi i parë ngjitet automatikisht një kategori më lartë, ndërsa vendi i dytë luan play-off me vendin e parafundit të grupit A në Kategorinë e Parë.

Momentalisht, Vllaznia B mban vendin e 6-të me 31 pikë pas 18 javësh kampionat. Por, ajo që duhet theksuar se ndaj këtij ekipi mungon mbështetja e drejtuesve. Me të vërtetë, situata tek ekipi i parë në këto momente nuk është aspak e qetë, por tek ekipi i dytë mungesa e vëmendjes ka qenë pothuajse gjatë gjithë sezonit.

Është e turpshme kur sheh që trajneri i Vllaznisë B mbulon nga xhepi i tij shpenzime që duheshin kryer nga drejtuesit. Kujtojmë se Vllaznia B ra në kategorinë e dytë, për “faj” të ekipit të parë, ku dy ekipe të një klubi nuk mund të jenë pjesë e një kategorie e kështu e pësoi edhe ekipi i drejtuar nga Ervis Kraja. /ShkodraNews