Vllaznia dhe borxhi 2 miliardë lekë, ende asnjë zgjidhje. Çfarë pritet të ndodhë nesër



Dita e premte e 27 nëntorit sjell mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak të Shkodres, e cila i bie të jetë ndër të fundit që zhvillojnë të zgjedhurit vendor, pasi përgjatë dhjetorit mbahen edhe dy mbledhje, njëra prej të cilave për miratimin e projekt buxhetit të vitit 2021.



Mbledhja e ditës së neserme në tërësinë e saj ngjan rutinë, por mes 6 pikave të rëndit të ditës, përmban një tejet të rëndësishme, siç është ajo për “Dhënien e pëlqimit për shitjen me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a në masën 100%”.



Ajo që prej kohësh pritej të nisej si proçedurë, por ndodh as më shumë dhe as më pak në prag të zgjedhjeve të 2021-it, pak muaj përpara mbajtjes së tyre dhe në një kohë aspak të zakontë si kjo e krijuar nga pandemia. Gjithçka pritet të ndodhë online, pasi kjo mbledhje për shkak të kufizimeve që ka vendosur komiteti teknik, nuk do të zhvillohet me praninë fizike të këshilltarëve, por përmes një nga programet online. Natyrisht që një çeshtje e tillë kaq e ndjeshme dhe me interes publik nuk mund të kalohej kështu, por këshilli bashkiak ka vendosur ta fusë propozimin e Voltana Ademit në rendin e ditës për ta diskutuar.

Shkodranews mëson se një pjesë e këshilltarëve do të kërkojnë që kjo pikë të shtyhet duke mos kaluar për shqyrtim në këtë mbledhje, pasi ata e gjykojnë të rëndësishme praninë fizike në sallë dhe përplasjen e qëndrimeve me letra të hapura. Të tjerë kanë mendimin se duhet kaluar me urgjencë, por ajo që pritet me interes është vetë qëndrimi që do të mbajë presidentja në detyrë Voltana Ademi.

Klubit i është caktuar një vlerë fillestare shitje prej 500 milion lekësh, por tek Vllaznia ato që rëndojnë dhe vënë në pikëpyetje këtë proçes janë borxhet, që sipas të dhënave kalojnë 2 miliardë lekë. Nuk ka ende asnjë zgjidhje për këtë çeshtje, pasi qeveria nuk e ka thënë fjalën e fundit për faljet apo lehtësime në këtë drejtim.

Shqyrtimi i një pike të tillë kërkon mbi të gjitha seriozitet nga palët por edhe kujdes maksimal që klubi më i vjetër në Shqipëri të mos përfundojë për tu shitur si një mall pa vlerë, apo që të bjeri në duar të gabuara që mund ta përdorin për politikë, në një kohë të tillë si kjo ku ndodhet vendi. Fati i shumë klubeve të lëshuara në të tilla forma ka qënë i parashkruar, pasi ato ose kanë falimentuar ose janë rikthyer edhe më të dobëta tek bashkitë. A mund të pranohet një fat i tillë për Vllazninë dhe emrin e madh që ajo përfaqëson? /ShkodraNews