Vllaznia, gati për “finalen” e fundit të sezonit

Me fitoren ndaj Partizanit në javën e fundit të kampionatit të basketbollit, Vllaznia në basketboll për meshkuj siguroi qëndrimin në Superligë, për momentin. Themi për momentin, për shkak se asgjë nuk është mbyllur. Vllaznia e mbylli kampionatin në vendin e parafundit dhe si rrjedhojë do të luajë në play-out.

Kundërshtari i shkodranëve do të jetë ekipi që është rënditur në vendin e dytë në Kategorinë e Parë të basketbollit. Bëhet fjalë pikërisht për ekipin e Invaders. Takimi i parë është vendosur të luhet këtë të dielë, me 21 prill. Sfida e parë do të zhvillohet në Shkodër, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në ora 12:00.

Një orar në fakt i papërshtatshëm për një ndeshje të tillë, për më tepër që luhet në festën e pashkëve. Gjithsesi, Vllaznia do të tentojë vetëm fitoren, ndaj një kundërshtari që e ka mposhtur edhe dy herë të tjera këtë vit, në miqësoret e zhvilluara mes tyre.

Ndeshja e dytë do të luhet me 24 prill dhe nëse Vllaznia e fiton edhe atë, atëherë siguron përfundimisht qëndrimin në Superligë për edicionin e ardhshëm. /ShkodraNews