Vllaznia luan nesër ndeshjen e fundit, ja çfarë bën lojtari shkodran i Partizanit

Vllaznia në basketboll për meshkuj luan nesër ndeshjen e fundit të këtij sezoni. Kuqeblutë e koshit përballën në ora 18:00 ndaj Partizanit në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Një ndeshje ku objektiv është vetëm fitorja dhe një gjë e tillë pranohet edhe nga zv/kapiteni i kësaj skuadre, Dod Lekndreaj.

“Atmosfera në skuadër është shumë e mirë. Pas fitores ndaj Tiranës shpresojmë për një tjetër fitore, këtë herë ndaj Partizanit dhe të mos diskutojmë më qëndrimin në Superligë të ekipit të Vllaznisë. Mundësitë për të arritur fitore janë të mëdha, duke marrë parasysh se Partizanit ka lojtarë të dëmtuar në këtë ndeshje. Ne do japim maksimumin nesër dhe kjo është ndeshja kryesore dhe e fundit e këtij sezoni.”

Por, përballë “Doda” do të ketë vëllanë e tij, Danielin që luan me Partizanin, por këtë herë kundër Vllaznisë ai do të mungojë. Vetë Dod Lekndreaj tregon arsyen….

“Dua të theksoj se vëllai im, Danieli, ka shprehur një kërkesë pranë drejtuesve të Partizanit për të mos luajtur në këtë ndeshje, duke marrë parasysh se ndeshja është shumë e rëndësishme dhe varet i gjithë sezoni i Vllaznisë. Nuk ka dashur pra të luajë kundër Vllaznisë dhe ky është ai lojtari që tre ditë para se të firmoste me Partizanin, pjesëtarët e asaj periudhe të ekipit nuk e lejuan të stërvitej në pallat të sportit. Tashmë, ai kërkon të mos luajë ndaj Vllaznisë, për emrin e saj dhe tifozët. Përsa i përket të ardhmes time, mund të them nuk e kam vendosur ende, por dëshira është që të vijoj të jem pjesë e Vllaznisë.” – thekson Lekndreaj.

Në rast fitore të Vllaznisë ndaj Partizanit dhe humbjes së Kamzës ndaj Goga Basket, atëherë Vllaznia shpëton nga rënia një kategori më poshtë. /ShkodraNews