Vllaznia merr kupën , por ja çfarë bën FSHF

Vllaznia U-19 është shpallur ditën e sotme kampione e Grupit A në Kategorinë Superiore. Shkodranët e mbyllin në vendin e parë në kuotën e 65 pikëve, dy më shumë se Shkëndija e Tiranës. Pikërisht me këtë kundërshtar kuqeblutë zhvilluan edhe ndeshjen e fundit të kampionatit.

Duke qenë se ishin shpallur matematikisht kampion, djemtë e drejtuar nga Luan Zmijani nuk i kushtuan shumë rëndësi këtij takimi dhe e mbyllën në humbje atë me rezultatin 3 – 0. Vendasit shënuan në minutën e 20-të me Tunin dhe dy herë të tjera në pjesën e dytë me anë të Shabanit dhe Markut.

Në fund të ndeshjes u dorëzua edhe kupa për ekipin shkodran. Por, ajo që bie në sy është neglizhenca dhe shpërfillja e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në dorëzimin e kupës për ekipin e Vllaznisë dhe si rrjedhojë një veprim të tillë e ka kryer vëzhguesi i ndeshjes. Një veprim i pakuptimtë nga ana e drejtuesve të FSHF. /ShkodraNews