Vllaznia nuk ia del në ndeshjen e parë ndaj Burrelit për Kupë

Vllaznia nuk ia ka dalë të sigurojë që në ndeshjen e parë kualifikimin e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Kjo pasi shkodranët janë ndalur në barazim 1 – 1 nga Burreli vendas. Shkodranët kanë qenë në avantazh deri në minutat e fundit, por kanë pësuar gol në minutën e 90-të.

Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 0 – 0. Ndërkohë, në të dytën, shkodranët gjejnë shumë shpejt golin e parë. Do të ishte braziliani Junior që do kalonte në avantazh në minutën e 48-të ekipin shkodran. Kur dukej se takimi po i drejtohej fundit, vendasit do të barazonin rezultatin.

Do të ishte Xhixhia që do të shënonte golin e barazimit në minutën e 90-të. Një gol që mban në lojë për ndeshjen e kthimit ekipin e Burrelit, por që natyrisht më të avantazhuar janë kuqeblutë. Ndeshja e kthimit do të luhet pas dy javësh në qytetin e Shkodrës. /ShkodraNews