Vllaznia “shtyn” finalen, duhet edhe një ndeshje tjetër

Ndeshjen e parë në “Qazim Dervishi” e dominoi, duke e fituar pastër me sete 3 – 0. Por, në atë të kthimit, Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk ia ka dalë, duke u mposhtur në kryeqytet. Djemtë e drejtuar nga Ermal Kraja kanë humbur 3 – 1 me sete ndeshjen e dytë ndaj bardhebluve të kryeqytetit.

Në fakt, Vllaznia e nisi mirë takimin, pasi setin e parë e fitoi me shifrat 26 – 28. Edhe seti i dytë do ishte i luftuar, por do triumfonin bardheblutë në shifrat 25 – 23. Ndërkohë në dy setet e tjera, Vllaznia lëshon në lojën e saj dhe i humbet në shifrat 25 – 14 dhe 25 – 18.

Kësisoj, për të përcaktuar skuadren e dytë finaliste, pasi e para është Partizani, që mposhti në dy takime Erzenin, do të duhet të luhet ndeshja e tretë në Shkodër mes Vllaznisë dhe Tiranës. Kjo sfidë është planifikuar të zhvillohet pasditën e së enjtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” dhe me mbështetjen e tifozerisë shkodrane shpresohet që Vllaznia të triumfojë dhe të kalojë në finale. /ShkodraNews