Voltana Ademi flet për privatizimin e Vllaznisë… por hesht për dështimin 4 vjeçar



Votën pro të këshillit bashkiak shpejtoi ta cilësojë si një sukses të sajin, e madje duke tejkaluar deri në ekzaltim që ta përkufizonte si “Premtim i mbajtur”. Voltana Ademi duke folur për mediat analizoi vendimarrjen për privatizimin e Vllaznisë, por nuk tha gjysmë fjalë për dështimin 4 vjeçar që pati si presidente e klubit, ku madje nën drejtimin e saj Vllaznia preku edhe kategorinë e parë pikërisht në një vit jubilar si 100 vjetori i themelimit si klub.



Kur fjala është për të marrë merita në të mirë, Ademi vrapon të rreshtohet e para dhe kur gjërat shkojnë në formën më të keqe të mundshme, hedh gurin e fsheh dorën. Kryetarja në detyrë duhet ta dijë shumë mirë që historia e Vllaznisë është e ngjashme me një telenovelë që nuk ka për protagoniste vetëm atë, por edhe shumë aktorë tjetër, mëgjithëse një pjesë të mirë të kësaj medalje të zezë e ka edhe ajo vetë.



Sot kur nis një proçes kaq i rëndësishëm dhe që janë në lojë shumë diskutime, ajo pikë së pari duhej ti kërkonte falje qytetarëve për formën si janë menaxhuar paratë e tyre, të nxirrte disa përgjegjësi që i takojnë, e më pas të shpaloste politikat që do të ndjekë për privatizimin.

Kjo pasi privatizimi është një rrugë sa e shkurtër aq edhe e gjatë, me shumë “pse”, me shumë të panjohura në mes dhe me frikën se gjërat nuk do të shkojnë siç është parashikuar, e Vllaznia të kthehet në pikën zero.

Proçedurat ligjore janë sa të lëxueshme, aq edhe me hije të errëta kur flitet në marëdhenie që mund të kenë interesa të tjera, larg atyre futbollistike e në të mirën e një klubi si Vllaznia. Vetëm kur të përmbyllet cdo gjë e të shihen emrat e interesuar, projekti i tyre për Vllazninë dhe strategjia afatmesme, atëherë do të mund të flitet për “sukses” ose jo.

Voltana Ademi nuk dihet nëse do t’ja arrijë asaj dite në atë karrige, por një gjë është e sigurtë,sado që të fshihen pas lojrave të fjalëve, ajo dhe paraardhësit në atë post e kanë një përgjegjesi të madhe që Vllaznia ka lënguar gjatë, e paratë e shkodranëve janë shpërndëruar në formën më të shëmtuar pa u dhënë asnjëherë përgjigje e plotë për cfarë ka ndodhur në klubin më të vjetër të futbollit në Shqipëri. /ShkodraNews