“Xhisiela”/ Zbardhet vendimi, si e humbi betejën Balla përballë Bashës, Çollakut dhe Nuhut

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka rrëzuar Taulant Ballën, duke vendosur, sipas kërkesës së Prokurorisë, për pushimin e procedimit penal nr 7682 të vitit 2018, për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës, dhe kallëzim i rremë, dhe ky vendim ka marrë formë të prerë më datë 7 tetor 2019.

Mbi bazën e kallëzimit të deputetit Taulant Balla, në ngarkim të kreut të PD Lulzim Basha, gazetarit Basir Çollaku dhe oficerit të policisë Emiliano Nuhu, është regjistruar procedimi penal nr 7683 me datë 2 tetor 2018, për veprat penale Kallzim i rreme dhe shpërdorim detyre. Ka pasur një tjetër kallëzim nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme në ngarkim të oficerit Emiljano Nuhu, për shpërdorim detyre, nxjerrje të akteve sekrete dhe kalim të paligjshëm kufiri.

Prokuroria ka vendosur bashkimin e procedimeve penale në një të vetëm në atë me nr 7682. Në kallzim kanë qenë dhe deputetët Enkelejd Elibeaj dhe Edi Paloka. Prokuroria pasi ka kryer hetimet e saj të plota, i është drejtuar gjykatës me kërkesë për pushim, pasi nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Taulant Balla, ka paraqitur kallzim, ku i referohet deklaratave në media dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke implikuar atë në lidhje me kërcënimin që pretendohet të jetë kryer ndaj oficerit të policisë gjyqësore Emiljano Nuhu, për shkak të detyrës.

Në vendimin e gjykatës, thuhet ndër të tjera se, sipas Ballës deklaratat e Bashës, dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, janë pjesë e një plani të mirëorganizuar, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë bërë kallzim të rremë. Ndërkohë për Basir Çollakun, sipas asaj që deklarohet në vendimin e gjykatës, Balla ka deklaruar se është personi që ka realizuar lidhjen mes të kallëzuarve për të vijuar me përhapjen e informacioneve, fakteve dhe ngjarjeve të pavërteta, në lidhje me implikimin e tij në këtë çështje.

Nga hetimet nuk rezulton asnjë rrethanë që të provojë bashkëpunimin mes të

kallëzuarve, për të sajuar intervistën e shtetasit Emiljano Nuhu. Gjykata çmon sipas prokurorisë se është bërë një hetim i plotë, ndonëse vendimi nuk është ankuar, pasi dijenia për të nuk rezulton të jetë njoftuar për palët edhe gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore.