Z. Rama, bëhu burrë të paktën një herë në jetë, jep dorëheqjen

Jep dorëheqjen! Largohu tani sa nuk është vonë duke i dhënë kështu vetes mundësinë që për finalen e karrierës tënde politike, të mbahesh mend si një njeri që gaboi, por të paktën e gjeti guximin të largohej.

Bëhu burrë të paktën një herë në jetë Z. Rama!

Ende pa kaluar 24 orë nga vendimi i BE-së për mos hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku deklaroi se do t’i propozonte presidentit të tij, zgjedhje të parakohshme. E përmbledhur në pak fjalë ajo çfarë Zaev tha ishte se, Maqedonia kishte bërë të gjtha përpjekjet e mundshme për të merituar negociatat dhe se BE nuk e kishte mbajtur fjalën e dhënë.

“Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne, vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”- tha mes tjerash Zaev.

Një deklaratë e vërtetë dhe për tu duartrokitur, e mbajtur nga një burrë shteti.

Një qëndrim i sinqertë po të kihet parasysh puna vërtet të jashtëzakonshme që ka bërë Maqedonia, prej vitesh nën presionin e Greqisë, për çështjen e emrit; për reformat; për pakicat etj.

Po çfarë ndodhi në Tiranë?

I deformuar prej realitetit që iu përplas në fytyrë, Edi Rama, bashkë me çunakun e preferuar të Baton Haxhiut, bëri një retorikë 2 orëshe para mediave. Ai foli për problemet e brendshme të Bashkimit Evropian si arsyeja e vetme që Evropa na la jashtë dere.

Edi Rama i bëri fajtorë të gjithë, përveç vetes dhe ngrehinës gri të shtetit që ka krijuar.

Nuk pati asnjë mea culpa për zhgënjimin e madh, të radhës, të shqiptarëve.

Asnjë premtim, që të paktën tani e tutje, ai i pari do i shtrohej punës, tu siguronte shqiptarëve në mos hapjen e negociatave, një jetë dinjitoze në vendin e tyre.

Edi Rama, ky frikacak dhe i paburrë, sërish nuk e pranoi dështimin e vet si kryeministër dhe kryetar i partisë në pushtet. Nuk ia mbajti të bënte një reflektim, në mos në lartësinë e homologut të vet fqinj, të paktën të ngjashëm me të. Si gjithmonë Edi Rama drejtoi gishtin diku tjetër.

Po, Z. Kryeministër i shqiptarëve, BE ka plot probleme të vetat, por a është vërtet kjo arsyeja e mos pranimit tonë!

A ishin përpjekjet e tua të mjaftueshme, si ato të Maqedonisë, që të paktën kur të ktheheshe në Tiranë, të kishe sy e faqe tu dilje shqiptarëve përpara?

Në retorikën e gjatë pa fund, të mërzitshme dhe të pathelb, Rama as e mori mundimin të paktën ti përmente ato të shkreta 9 kushte që, gjithësesi, edhe në rastin më të mirë, atë të hapjes së negociatave, do të ishin guri i varur në qafë i çdo politikani shqiptar.

Ramës nuk ia mbajti të përmendte sfidën që la pas ky refuzim.

Ai nuk është aq burrë sa të pranojë që refuzimi duhet të hapë një kapitull të ri, që kërkon njerëz dhe bashkëpunëtorë të rinj, një plan pune serioz në mënyrë që kur të trokasim sërish në derën e BE-së, të paktën të jemi dinjitoz.

Edi Rama as e mori mundimin, sepse me siguri që as e ka menduar, të thotë se si do të jetë sjellja e qeverisë së tij tani e tutje. Çfarë do të bëjë ai si kryeministër për qytetarët që e kanë votuar dhe që e mbajnë në pushtet.

Çfarë do të ndodhë me reformën zgjedhore? Kur do të bëhet funksionale Gjykata Kushtetuese? Si do të shkojë Vetingu tani e tutje dhe çfarë do të ndodhë me ata prokurorë e gjyqtarë, të vërtetuar si të korruptuar. A do të vendoset drejtësia për ta?

Kur do të bëhet funksionale Gjykata Kushteuese?

Çfarë programi pune dhe masash ka kryeministri dhe qeveria e tij për mafian e pronave, për trafikantët, korrupsionin dhe krimin e organizuar që mbizotërojnë në këtë vend?

Si do të rregullosh mirëqenien e shqiptarëve që ata të mos marrin rrugët e botës? A ke plane ekonomike dhe zhvillimore për këtë vend apo vetëm PPP?

Evropa e ka thënë të vetën, po Ti, çfarë do të bësh Ti, Z. Kryeministër?

Asgjë nga këto nuk u tha. Edi Rama foli dy orë plot, por vetëm u mundua të gjente fajtorin, shumë larg vetes së tij. Si gjithmonë, vërtetoi se ai nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një burrë shteti.

Ai nuk është i zoti të mbajë përgjegjësi dhe nuk mund të jetë kurrë në gjendje të krijojë një shtet demokratik. Sepse është vetë pjesë e të gjitha pisllëqeve që kanë mbytur këtë vend.

E meqë është kështu, pse nuk bën të vetmen gjë që të ka mbetur të bësh Z. Rama?

Jep dorëheqjen! Largohu tani sa nuk është vonë duke i dhënë kështu vetes mundësinë që, të paktën për finalen e karrierës tënde politike, të mbahesh mend si një njeri që gaboi, por të paktën e gjeti guximin të largohej.

Bëhu burrë të paktën një herë në jetë Z. Rama!

Organizo një konferencë për shtyp dhe kërko falje. Thuaj se u mundove, se u nise për mirë, se e dëshirove shumë të mirën e shqiptarëve, por nuk ia dole dot. Thuaj se tani është koha që këtë sfidë të fortë e të rëndë, ta marrë përsipër dikush tjetër. Dil e thuaju shqiptarëve se ata e meritojnë një jetë dinjitoze dhe se Shqipëria është mbi të gjithë dhe mbi gjithçka. Mjaftojnë vetëm 15 minuta e ndoshta historia do të tregohet zemërgjerë dhe e mëshirshme me ty.

Bëhu një herë burrë, se burrë shteti nuk do të mund të bëhesh kurrë!/Pamfleti