Zbardhet takimi dy ditë para refuzimit të Cakajt. Rama shtiret si i befasuar…

Deklaratat e Edi Ramës pas refuzimit të Ilir Metës për të dekretuar ministër të Jashtëm, Gent Cakajn, që hiqeshin sikur të ishin emocionale në fakt janë e gjithë shtirje. Kjo pasi, gazeta “Panorama” bënë të ditur se vendimin për të refuzuar Gent Cakajn, Presidenti ia ka komunikuar kryeministrit gjatë një takimi kokë më kokë, që kanë zhvilluar dje pasdite në Presidencë.

Takimi ka zgjatur rreth 20 minuta dhe mësohet se Meta i ka njoftuar Ramës arsyet pse nuk do ta dekretonte Gent Cakajn. Burime bëjnë të ditur se gjatë takimit, Meta i ka sugjeruar Edi Ramës që të ndjekë shembullin e Kryeministrit Aleksis Tsipras dhe të jetë ai që të marrë përsipër edhe funksionin e ministrit të Punëve të Jashtme.

Po ashtu mësohet se një tjetër opsion që Meta i ka sugjeruar Kryeministrit ka qenë dhe që Gent Cakajn ta propozojë si ministër të Kulturës, në vend të Elva Margaritit. Këtë fakt e ka konfirmuar sot dhe shefi i kabinetit të Presidentit, Arben Cici.

“Gjatë bisedës që Presidenti Meta ka bërë me Kryeministrin Rama ditën e premte për të qartësuar pozicionin e tij në raport me zotin Cakaj, Presidenti i Republikës i ka propozuar Kryeministrit, që meqenëse zoti Cakaj pretendohet se është kaq i shkolluar dhe lexuar, mund ta vendosni Ministër të Kulturës apo çdo lloj ministri tjetër, por në këto kushte që ndodhemi ne nuk kemi luksin të bëjmë eksperimente as edhe një çast për të vendosur një njeri si zoti Cakaj në pozicionin e Ministrit të Punëve të Jashtme përballë atyre sfidave që kemi ne dhe në mungesën e theksuar të përvojës së spikatur në marrëdhëniet ndërkombëtare, në politikën e jashtme, në njohjen e thellë të administratës së Republikës së Shqipërisë dhe të tjera që janë qartësuar në argumentet që Presidenti i ka bërë publike në letrën refuzuese të propozimit të Kryeministrit Rama”, – deklaroi shefi i kabinetit, Arben Cici.