Zbulohen letrat që sulltanesha Hyrrem shkruante për Sulltanin e Madhërishëm, historia e dashurisë në Perandorinë Osmane

Historia më e bukur e dashurisë në sarajet e Perandorisë Osmane. Ankara– Janë zbuluar së fundmi letrat e dashurisë të dërguara nga Sulltanesha Hyrrem për Sulltanin Sulejmanin e Madhërishëm gjatë periudhës osmane, duke hedhur dritë mbi historinë më të famshme të dashurisë të kësaj epoke.

Sipas Anadolu Agency, letrat janë njerrë nga arkivat presidenciale, ndërsa arkivistët i kanë quajtur si një ndër shembujt më të mirë të poezisë dhe prozës turke të periudhës osmane, të shkruara në kohën kur Sulejmani gjendej në fushën e betejës.

Sulejmani konsiderohet nga shumë historianë si sulltani më i suksesshëm osman. Sundimi i tij nga viti 1520 deri më 1566, përfshiu fushata të guximshme ushtarake që zgjeruan perandorinë dhe zhvillimin në fushat e ligjit, letërsisë, artit dhe arkitekturës. Megjithatë, për romantikët, ai është i njohur për historinë e tij të dashurisë me gruan e tij, Hyrrem.

“Jam e humbur në këtë univers të krijuar nga Zoti ynë. Kam jetuar vitet e mia më të mira nën mbrojtjen tënde, si një margaritar në kutinë tuaj të xhevahirëve. Unë gjej paqen vetëm pranë jush. Fjalët dhe boja janë të pamjaftueshme për të rrëfyer lumturinë dhe gëzimin tim kur unë gjendem afër jush. Kujtimet e ditëve që kaluam së bashku, momentet që i kemi ndarë, mbushin zemrën e shërbëtores sate. Ngushëllohem me këto kujtime në mungesën tuaj. Jam e ulët kur jeni larg. Askush nuk mund ta lehtësojë dhimbjen time”, – shkruante kështu sulltanesha Hyrem, në letrat e shkruara rreth vitit 1526.

Në njërën nga letrat, sulltanesha i ka dërguar rrobat e saj të lagura me lot. “Jeta ime, zotëriu im, sulltani im i dashur, lutja ime e vetme për Allahun është ta shoh sërish fytyrën tënde të ndritur. Nuk ka më ndarje prej tani. Dua nga Zoti im që sulltani im, njeriu im i dashur, gjithmonë të jetë i lumtur në botë dhe në amshim. Sulltani im…fshiu lotët e mi dhe më bëri të lumtur. Falë sulltanit tim, gjeta rrugën e duhur dhe fenë…Prandaj, mund të jem e lumtur pranë jush. Po ju dërgoj një nga rrobat e mia të lagura me lotët e mi…Ju lutem, visheni për mua. Nuk dua asgjë tjetër përveç lumturisë për ju në të dyja botët”,- ka përfunduar kështu letrën e saj sulltanesha.

Ndryshe, Sulltanesha Hyrrem ishte një nga femrat më influente në historinë osmane. Djali i saj, Selimi trashëgoi fronin osman pas Sulltanit të Madhërishëm, Sulejmanit.