Zbulohet strategjia e re e Ramës për shkarkimet, si do të largohen nga administrata…

Jo të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale të Shkodrës do të largohen nga pozicioni që mbajnë brenda muajit shkurt siç ishte paralajmëruar. Duket se frika e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe reaksioni zinxhir që mund të krijojë një furtunë e tillë, ka bërë që kryeministri Edi Rama sëbashku me strukturat vendore të partisë socialiste të mendojë një tjetër strategji.

Në fakt strategji apo lëvizje matematikore, kjo mbetet për tu pare, por që po aplikohet këto ditë me drejtuesit e mëdhenj të drejtorive, ku rokada po shoqërohet me spostime të tyre dhe jo largime përfundimtare. E duket se kjo gjë mund të ndiqet edhe për rrethet, si në rastin e Shkodrës ku drejtuesit mund të lëvizin në pozicione paralele, por duke mbetur titullar. Burime nga selia rozë thonë se kjo do të shihet si zgjidhje për një pjesë të emrave, ndërsa të tjerët brenda muajit shkurt do të largohen si në rastin e drejtorit të Aluiznit, OSHEE-së, inspektoriatit mjedisor, doganave etj!

Kjo pasi një pjesë e tyre janë të emëruar të ish ministrave të qeverisë Rama, e ku pas ardhjeve të reja ata do të zëvendësohen me të tjerë titullarë. Strukturat e PS Shkodër kanë kërkuar që për këto pozicione kyçe përpara zgjedhjeve të mos vijnë më të emëruar nga Tirana, por të gjenden figura të socialisteve të Shkodrës, që kanë punuar dhe vijojnë të punojnë për këtë strukturë. Tashmë brenda kësaj strukture kanë nisur të diskutohen emrat e parë të mundshëm për disa nga këto pozicione, por fjalën e fundit do ta thonë drejtuesit politik të qarkut dhe vetë ministrat e linjës, që në një koordinim do të përzgjedhin titullarët e rinj. Pritet që edhe festa e të dashuruarve të kalojë e qete për socialistët, më pas të nisin ethet e ndryshimeve.