Zbulohet vendimi i Ramës për të shpëtuar ministrat dhe deputetët nga prangat

Njihuni me dokumentin e qeverisë për t’i bërë atentat SPAK-ut, ndalohet arrestimi i peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, deputetët marrin kompetencat e gjykatës për të gjykuar provat e prokurorisë kundër tyre

Zbulohet vendimi i Edi Ramës për të shpëtuar veten, ministrat dhe deputetët e korruptuar nga prangat e SPAK-ut. Vendimi është përgatitur nga bashkëpunëtorët e Edi Ramës që në janar të vitit 2018, por ditët e fundit është urdhëruar shqyrtimi dhe miratimi i tij në parlament para ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Vendimi ka vetëm një qëllim: Të mos lejojë arrestimin e ministrave dhe deputetëve të korruptuar nga SPAK-u, duke përdorur imunitetin e deputetit. Vendimi konfirmon tmerrin e Edi Ramës dhe të bashkëpunëtorëve të tij nga SPAK-u, tek i cili nuk janë më Donika Prela dhe Arta Marku. Nën qeverisjen e Edi Ramës çdo vit shkarkohet një dëm ekonomik prej 1.7 miliardë euro, kryesisht me vjedhje përmes tenderave, koncesioneve, tjetërsimit të pasurive publike, guroreve, asgjësimit të pyjeve etj. Për gjithë këtë vjedhje ka përgjegjës konkretë. Kjo është arsyeja se pse Edi Rama po merr masa para ngritjes së SPAK-ut.

Fillimisht në vendim thuhet që “Këshilli shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti. Procedura e detajuar parashikohet ne nenet 118 dhe 119 të kësaj Rregulloreje”. Vendimi i ka ndryshuar nenin 118 të Rregullores së Kuvendit. Në versionin e ndryshuar parashikohet që prokuroria duhet të çojë prova në Kuvend kur kërkon arrestimin e deputetit. Pikërisht këtu fle lepuri, pra tek provat. Kuvendi do të gjykojë provat e prokurorisë sikur të ishte gjykatë. Kompetencën për të vlerësuar provat e prokurorisë në çdo vend demokratik të botës e ka gjykata. Edi Rama ka vendosur që provat t’i gjykojë ai me deputetët e tij. Pra, kur SPAK-u të kërkojë arrestimin e një ministri apo deputeti, deputetët e Ramës do të gjykojnë provat. Natyrisht deputetët nuk mund të votojnë për të arrestuar veten, pra do të thonë se provat nuk qëndrojnë. Ky është edhe thelbi i vendimit të Ramës./Pamfleti

Rregullorja e Ramës për të shpëtuar deputetët nga SPAK-u

Neni 1

Ne nenin 13, pikat 3, 4, 5 dhe 6 ndryshojnë si me poshtë:

“Këshilli shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti. Procedura e detajuar parashikohet ne nenet 118 dhe 119 të kësaj Rregulloreje”.

Neni 7

Neni 118 riformulohet si vijon:

  1. Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

 

  1. Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.
  1. 3. Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

 

  1. Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

  1. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën Prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje Prokurorit.

 

  1. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

 

  1. Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.
  1. Përpara diskutimit të çështjes kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

 

  1. Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

 

  1. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për procedim parashikohet për shqyrtim në seancë plenare jo më parë se një javë, por jo më vonë se dy javë nga paraqitja e raportit të Këshillit.

 

  1. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Koha e debatit, kur çmohet e nevojshme, përcaktohet nga Konferenca e Kryetareve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë deputeti ndaj të cilit kërkohet dhënia e autorizimit për procedim për jo më shume se 10 minuta.

 

  1. Kuvendi në seancë plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

 

  1. Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizirni për procedim.

 

  1. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes se kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrezuar nga Kuvendi.

 

  1. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për procedim për anëtarin e Këshillit të Ministrave.