Zj.arret po djegin Shqipërinë, zbarkon ushtria, Ministria jep detaje për të gjitha vatrat



Situata e krijuar ditët e fundit nga zjarret e mëdha në disa pyje të vendit ka bërë që në terren të zbresë edhe ushtria.



Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar sot se 10 vatra zjarri mbeten aktive dhe se rreth 200 efektivë të Forcave të Armatosura u kanë ardhur në ndihmë forcave zjarrfikëse në disa bashki të vendit, ku janë evidentuar disa vatra zjarri.



Mësohet se deri më tani 10 vatra mbeten aktive, por nën monitorim dhe nuk paraqesin asnjë rr.ezik për qytetarët.

Në Lezhë janë aktive 4 vatra zjarri, në njësinë administrative Shëngjin, zona Rëra e hedhur-Maja e Zezë dhe po punohet për izolimin e tyre.

Zjarri në malin e Kakarriqit është izoluar pothuajse totalisht. Ndërsa në Rubik, në fshatin Katund i Vjetër, vatra ka intensitet të ulët dhe është nën monitorim.

Në Elbasan ka patur një vatër zjarri në Gramsh në fshatin Siman. Policia ka nisur hetimin për shkaqet e zjarrit. Në Fier nga 3 vatra, 2 tashmë janë lokalizuar dhe janë drejt përmirësimit. Situata është nën kontroll edhe në fshatin Hekal, Mallkastër, ku u raportua për zjarr në sipërfaqe me shkurre ullishte dhe pemëtari.

Vështirësi ka paraqitur terreni në njësinë administrative Terpan në pyllin e Ballollit në Berat, por zjarri nuk përbën rrezik për komunitetin, pasi ndodhet larg zonave të banuara.